
Policia e Krujës ka njoftuar finalizimin e operacionit policor antidrogë të koduar “Përshtatja”.
Uniformat blu kanë arrestuar në flagrancë 24 vjeçarin i cili kishte përshtatur për përdorim dhe tregtim të kokainës dhe të kanabisit, lokalin që kishte marrë me qira.
Në pranga edhe një 35-vjeçar, kamarier i lokalit të përshtatur për këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. S., 23 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke konsumuar lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lokalin e marrë me qira nga 24-vjeçari dhe ku ishte kamarier shtetasi A. B., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 qese farmaceutike me lëndë narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe një pjatë porcelani, me mbetje të lëndës narkotike kokainë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetasve F. Sh. dhe A. B., ndërsa në ngarkim të shtetasit D. S., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.



