
Autoritetet italiane kanë vënë në pranga një 48-vjeçar shqiptar, pasi u kap duke transportuar nga Franca në Itali një sasi prej 36 kilogramë kokainë. Në pranga është vënë shtetasi Norend Kapo, banues në Pesaro, por me origjinë shqiptare.
Operacioni është zhvilluar në zonën kufitare Morgex mes Italisë dhe Francës. Dyshimet se 48-vjeçari kryente trafik të lëndëve narkotike kanë lindur që më datë 5 gusht, ndërsa këtë të premte është faktuar aktiviteti i tij kriminal.
Shqipëtari u arrestua në Morgex ,pasi gjatë kontrollit në makinë u dyshua se mund të kishte lëndë narkotike. Më pas, autoritetet italiane e dërguan makinën në Xhenova, ku me anë të një termoskaneri u arrit të zbulohej ngarkesa e drogës, e cila ishte fshehur në sediljen e shoferit dhe të pasagjerit. 48-vjeçari, tashmë i njohur për policinë u arrestua dhe u dërgua në burg. Ai akuzohet për posedim droge me qëllim shitje dhe rrezikon deri në 20 vite burg.



