
Ushtarët polakë të dislokuar me Komandën Rajonale në Lindje të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO kryen patrullime të sinkronizuara me Forcat e Armatosura Serbe, përgjatë të dy anëve të vijës kufitare administrative, afër komunës së Podujevës.
Lajmi është bërë i ditur nga KFOR, i cili përmes një njoftimi në rrjete sociale thekson se këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal.
Ndërkaq, në një njoftim të ndarë, Ministria serbe e Mbrojtjes tha se është kryer një patrullë e përbashkët në zonën, që tha se është përgjegjësi e bazës ushtarake Shushnjak, afër Kurshumlisë.
“Janë ndarë informacione për situatën në terren dhe janë mbledhur të dhëna të rëndësishme për zbatimin e detyrave në të ardhmen”, u tha në njoftimin e ministrisë serbe.
Zona e Sigurisë Tokësore mes Kosovës dhe Serbisë është prej 5 kilometrash dhe është përcaktuar në Marrëveshjen Teknike të Kumanovës.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX).



