Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “The Hill 2”, duke goditur një tjetër rast të shitjes së lëndëve narkotike në plazhe dhe zona të ndryshme të qytetit.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, Detar Rama, 33 vjeç, dhe Kadri Xhani, 27 vjeç, të dy banues në Durrës. Sipas Policisë, ata dyshohet se bashkëpunonin për shitjen e lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Të dy të dyshuarit u kapën në flagrancë në fshatin Rrashbull.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre, policia sekuestroi mbi 100 doza të dyshuara kokainë dhe cannabis sativa, të ndara dhe gati për shitje.
Gjithashtu, u sekuestruan një shumë parash, e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal, dy armë të ftohta (një shkop bejsbolli dhe një thikë), si dhe tre telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim, dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".



