Një operacion i policisë së Elbasanit i koduar “Griqan 2022”, ka vënë në pranga një person, si dhe janë sekuestruar 44.380 fara të dyshuara kanabis, municion luftarak dhe sende të tjera të dyshuara që do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, B. M., 20 vjeç, banues në fshatin Griqan, Elbasan.
Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi F. K., 20 vjeç, banues në fshatin Griqan, Elbasan.
Uniformat blu kishin marrë informacione në rrugë operative se shtetasi B. M., ushtronte aktivitetin kriminal të kultivimit te bimëve narkotike dhe shitjes së farave bimore narkotike, në qytetin e Elbasanit.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në lagjen “28 Nëntori”, është ushtruar kontroll fizik ndaj tij, të cilit i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi farash bimore të dyshuara narkotike, të llojit kanabis sativa.
Në vijim të kontrollit, në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi farash të dyshuara narkotike, të llojit kanabis, një sasi farash të kultivuara në gota plastike dhe municion luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 44.380 fara të dyshuara kanabis, municion luftarak dhe sende të tjera të dyshuara që do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.



