Operacioni i Antimafias së Barit dhe SPAK, Braho: 1 milion euro kesh të sekuestruara dhe pasuri të tjera

Operacioni i Antimafias së Barit dhe SPAK, Braho: 1 milion euro kesh të sekuestruara dhe pasuri të tjera

Në konferencën e përbashkët për mediat nga Antimafia e Barit, kreu i SPAK, Klodian Braho dha detaje mbi operacionin e zhvilluar në orët e fundit mes dy vendeve.

 

Ai tha se janë lëshuar 15 masa sigurie, 10 prej të cilave nga Prokuroria e Posaçme.

 

Braho bëri të ditur se janë sekuestruar rreth 1 milionë euro kesh dhe pasuri të tjera, shoqëri tregtare, aktivitete tregtare që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

 

Nga GJKKO në Tiranë, janë sekuestruar pasuri të tjera si llogari bankare, shoqëri, që dyshohet se janë krijuar nga veprimtari kriminale. 

 

Dua të përmend operacionit “Shpirti”, “Kulmi” dhe “Ura” ku u dënuan penalisht 167 persona dhe për 145 prej tyre janë dhënë dënime të konsiderueshme nga 12 vite burg e deri në 20. 

 

Zbardhja e një ngjarje kriminale të ndodhur një vit më parë, vrasja e një parukieri italian 25-vjeçar në Berletta, çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal të përbërë nga shqiptarë dhe italianë.

 

Vrasja e parukierit Francesco Diviesti, dyshohet se është bërë për përplasjen e grupeve kriminale për drogë.

 

Igli Kamberi i cili rezulton kreu i grupit kriminal, është arrestuar disa muaj më parë në kufirin Hungari-Serbi, në tentativë për tu arratisur dhe ardhur drejt Shqipërisë. 

 

Pak pas ndalimit të tij në Muriqan u sekuestruan 680 mijë euro, të cilat dyshohet se do futeshin në Shqipëri për tu pastruar dhe që dyshohet se ishin produkt i aktivitetit të drogës. 

 

Ndërkohë Ergys Kastrati (Bishja), është arrestuar gjatë operacionit të orëve të fundit në një vilë luksoze në periferi të Tiranës. 

 

Kamberi dyshohet se përdorte Kastratin për të pastruar paratë e aktivitetit kriminal. Paratë që futeshin në Shqipëri investoheshin që nga blerja e pronave të paluajtshme, deri te automjetet luksoze. 

 

Hetimet zbuluan edhe një tentativë vrasje, pasi një shtetase italiane i ka kërkuar Kamberit që të ekzekutojë bashkëshortin e saj, për t’i marrë pasurinë. 

 

Njoftimi i SPAK

 

SPAK dhe Drejtoria Distriktuale Antimafia e Barit zhvillojnë një operacion të gjerë në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash

 

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Drejtoria Distriktuale Antimafia e Barit (DDA) zhvilluan mëngjesin e sotëm një operacion të përbashkët dhe të gjerë në kuadër të hetimeve ndërkombëtare në Shqipëri dhe Itali, i realizuar nga Skuadra e Përbashkët hetimore, e ngritur më mbështetjen e Eurojust.

 

Hetimet u përqendruan në zbulimin e vrasjes së Francesco Diviesti-t, ngjarje e ndodhur më 25 Prill të vitit 2025, në Canosa di Puglia, në jug të Italisë dhe të një organizate kriminale shqiptare, me bazë në Tiranë, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, nga Italia në Shqipëri.

 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 10 masa sigurimi personal, ndërsa 5 të tjera janë lëshuar nga autoritetet gjyqësore italiane. Këto masa janë vendosur ndaj 11 shtetasve shqiptarë, 4 italianë, (përfshirë 4 gra, të vendosura nën masën e arrestit në shtëpi dhe detyrim paraqitje). Masat u ekzekutuan në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar në Tiranë, Fier, Vlorë (Shqipëri), në Barletta, në burgun e Romës dhe Agnani, (Itali) si dhe në Madrid (Spanjë).

 

Veprat penale:

 

Vrasje me paramendim, e kryer duke përdorur metoda mafioze të ekzekutimit

 

Tentativë zhvatjeje;

 

Posedim dhe mbajtje e paligjshme e armëve të zjarrit dhe municioneve;

 

Favorizim personal;

 

Shkelje të masave parandaluese personale;

 

Pastrim ndërkombëtar i produkteve të veprës penale nga Italia në Shqipëri

 

Në masën paraprake të lëshuar nga Gjykata e Barit është konfirmuar qëndrueshmëria e provave ndaj tre personave, të hetuar si ekzekutorë material krimit të kryer ndaj Francesco Diviestit; një shqiptar (autori) dhe dy italianë nga Barleta, një burrë dhe një grua, që ndihmuan në fshehjen e gjurmëve të krimit duke mos e raportuar atë tek autoritetet gjyqësore.

 

Ekzekutimi i Francesco Diviesti-t – 25 Prill 2025 

 

Hetimet zbuluan se në mbrëmjen e datës 25 Prill 2025, Francesco Diviesti u përfshi në një konflikt, në një bar të Barletta-s dhe u dërgua brenda disa shpellave, pranë një zonë të izoluar në Murgia-n e sipërme, në Casosa di Puglia, ku është qëlluar 5 herë nga dy pistoleta dhe më pas, i është vënë flaka brenda disa gomave, me qëllim që kufoma të digjej, sipas një metode të përdorur në vitet ’90, në këtë zonë.

 

Duke iu referuar kësaj mënyre të ekzekutimi, hetimi u mor përsipër nga Drejtoria Antimafia e Barit, duke lokalizuar kufomën brenda katër ditëve. Më 25 Qershor, shtetasi shqiptar i përfshirë në krim, i cili ishte larguar dy ditë pas ekzekutimit të Diviesti-t, u arrestua në qytetin Roshe të Hungarisë, jo për vrasje, por për posedim të 24 kilogramëve kokainë të pastër, në kuadër të procedimit të Prokurorisë së Tranit. Drejtoria Antimafia e Barit i kishte dërguar provat kësaj Prokurorie për të bërë të mundur arrestimin e tij për këtë krim. Në të njëjtën kohë, tek familjarë të tij u sekuestruan mbi 412.000 euro ‘cash’ si dhe u dokumentua përfshirja e tre shtetasve italianë në këtë çështje penale në hetim.

 

Rindërtimi i vrasjes së Diviesti-t dhe identifikimi i grupit kriminal të përfshirë në pastrimin e produkteve të veprës penale u bë i mundur falë një hetimi më të gjerë ndaj shtetasve shqiptarë të vendosur në Puglia, të zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, nën drejtimin dhe koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Barit, në kuadër të trafiqeve ndërkombëtare të drogës nga Shqipëria në Puglia.

 

Lidhur më shtetasit e hetuar, GJKKO ka caktuar gjithashtu edhe sekuestron preventive për 4 shoqëri tregtare, 8 automjete, 10 llogari bankare dhe shumën prej 680.595 euro, të cilat u sekuestruan nga Policia e Shtetit në 14 Nëntor 2024 në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit, pas informacionit të marrë nga Qëndra Operative DIA, Bari.

 

Operacioni i sotëm është pjesë e një projekti hetimor shumëvjeçar mes SPAK dhe DDA-së të Barit kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të menaxhuara nga organizata kriminale shqiptare dhe pason operacionet:

 

-Shefi

-Kulmi

-Shpirti

-Ura

 

Nga viti 2018 deri në 2025, këto operacione kanë çuar në vendosjen e 170 masave të sigurisë, sekuestrimin e pasurive në vlerën e miliona eurove dhe kapjen e mbi 7 tonëve drogë (kokainë, heroinë, kanabis). Në shkallë të ndryshme të gjykimit janë vendosur dënime deri në 20 vjet heqje lirie për secilin të pandehur..

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy