Një 33-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Sipas uniformave blu, në pranga përfundoi shtetasi A. K., banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 15.01.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 08.01.2020, në fshatin Grudë, Shkodër, ku shtetasi A. K. dhe vëllai i tij shtetasi N. K., 28 vjeç, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit N. K. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.



