
Një 25 vjeçar i shpallur në kërkim dhe i dënuar me dy vite burg për disa vepra penale ka përfunduar në prangat e policisë në sajë të operacionit "Sundimi i ligjit".
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, për disa vepra penale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak kapën dhe vunë në pranga shtetasin Blejdi Axha, 25 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës e ka dënuar shtetasin Blejdi Axha, me 2 vjet dhe 2 muaj burgim, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Në janar të vitit 2022, nga verifikimet e kryera rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike.
Gjithashtu, atij iu gjet 1 përforcues grushti. Shtetasi Blejdi Axha iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.



