
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot seancën gjyqësore për shpalljen e vendimit për gjyqtaren Irena Gjoka.
Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pas analizimit të provave dhe fakteve vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke konfirmuar në detyrë gjyqtaren, Irena Gjoka.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë më 26.2.2020 gjyqtaren Irena Gjoka, vendim që u ankimua nga Komisioneri Publik.
Irena Gjoka e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Për më shumë se një dekadë, Gjoka ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Prej dhjetorit 2019, ajo është pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.



