
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot në Kosovë kanë arritur edhe 146 qytetarë afganë.
Ai tha se procedurat e pritjes së tyre tashmë kanë përfunduar dhe janë akomoduar sipas marrëveshjeve paraprake.
Ministri i Brendshëm tha se Kosova është e angazhuar maksimalisht në këtë çështje në koordinim me të gjithë akterët e brendshëm institucionalë dhe shtetet aleate të Republikës.
Ky proces po zhvillohet jashtëzakonisht mirë falë bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë, ShBA dhe NATO.
Jemi të angazhuar maksimalisht që të gjithë qytetarëve që po ballafaqohen padrejtësisht me konflikte e luftë, të ju mundësojmë strehim, mirëqenie e siguri për aq kohë sa janë në shtetin tonë.
Për pritjen e afganëve në Kosovë edhe vetë Sekretari amerikan i Shtetit ka falënderuar presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.
Kosova u bë ndër shtetet e para që pranoi të strehonte në territorin e saj afganët që u larguan nga Afganistani si pasojë e luftës civile atje.
Kosova kishte pranuar diku mbi 1 mijë e 500 afganë tash e më shumë se një vit, pasi talebanët kishin marrë në dorë udhëheqjen e Afganistanit.



