Gjashtë tifozë të klubit të Tiranës janë proceduar penalisht nga policia e kryeqytetit. Kjo për shkak se në kundërshtim me aktin normativ për koronavirusin, ata kanë organizuar një grumbullim të paligjshëm.
Kjo pasi ditën e hënë, teksa luhej ndeshja Tirana-Kukësi, ata janë mbledhur jashtë stadiumit dhe kanë nisur të mbështesin skuadrën me këngë dhe duartrokitje. Fillimisht, ata janë paralajmëruar nga policët se duhet të shpërndaheshin, por fillimisht kanë refuzuar. Më tej, blutë e kryeqytetit kanë ndërhyrë dhe kanë shoqëruar gjashtë prej tyre, të cilët mendohet se janë organizatorët. Të proceduarit janë M. J., F. M., E. S., O. K., G. X. dhe K. M.
Për Tiranën, ndeshja e së hënës me Kukësin ishte tepër e rëndësishme pasi në rast fitoreje shpalleshin kampion, por Kukësi ia doli 1-2 në kryeqytet duke ringjallur shpresat për titull, edhe pse katër javë nga fundi Tirana udhëheq me 6 pikë më shumë. Kjo nuk është hera e parë që tifozët e Tiranës mbështesin skuadrën në kushtet e pandemisë, pasi kjo ndodh tashmë prej disa ndeshjesh radhazi, më së shumti në transferta.
Ndërkohë, si pasojë e kësaj ngjarjeje e ka pësuar edhe pronari i një lokali në stadiumin Selman Stërmasi. Kjo pasi ai lejoi të futeshin dhe të qëndronin në ambientet e brendshme të lokalit, tifozët që nuk po zbatonin urdhrin e policisë për t’u shpërndarë dhe respektuar distancimin social, urdhër i dhënë disa herë me megafon, që prej fillimit të grumbullimit të paligjshëm e deri në shpërndarjen e plotë të tyre.
Për pronarin në fjalë, gjoba ishte 1 milionë lekë të reja, ndërsa për tifozët e proceduar rëndojnë akuzat “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.



