
Detaje të reja kanë dalë nga rënia e avionit privat të vogël në zonën e Kelmendit në Malësi të Madhe, ngjarje kjo e ndodhur mesditën e sotme. Sipas informacioneve nga uniformat blu, dyshohet se avioni ka hyrë në territorin shqiptar nga Mali i Zi, ndërsa pesha maksimale që ai mund të transportojë është 200 kilogramë.
Nga verifikimet paraprake, mësohet se piloti i avionit dyshohet se është nga Bosnja, kurse pasagjeri që ndodhej në avion nga Plava, me origjinë boshnjake. Ndërkohë, ende nuk është dhënë një identitet i tyre. Ata u larguan nga vendi i ngjarjes me një fouristradë pa targa, ndërsa barinj të zonës janë shprehur se askush nga ata nuk ishte banues në Vermosh, kjo pasi janë kuptuar nga dialekti.
Kujtojmë që avioni i vogël privat është rrëzuar në momentin kur tentonte të bënte një ngritje nga toka. Piloti dhe pasagjeri kanë qëndruar për pak çaste aty, ndërsa banorët që ndodheshin aty janë munduar t’i afroheshin por që nuk janë lejuar nga ata. Më pas, në vendngjarje ka mbërritur fouristrada, duke i marrë nga aty dhe larguar në drejtim të paditur.



