
Sekuestrohet nga policia e Durrësit një sasi lënde narkotike kanabis sativa, e ndarë në doza, duke vënë në pranga një person.
Në vijim të punës operacionale me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin Deni Meta, 20 vjeç, banues në Durrës.
Nga kontrolli fizik, shërbimet e policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike kanabis sativa, të ndarë në doza, me qëllim shitjen në zona të ndryshme të qytetit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



