“Influence” u kodua një operacion i policisë së Tiranës, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, duke vënë në pranga një të dyshuar, i cili kishte shtyrë një të mitur për të vjedhur bashkë me të.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Influence”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasi R. Ll., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe “Shtytja e të miturve në kërkim”.
Ndërkohë nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një shtetas të mitur 15 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 13 mars 2023, kanë tentuar të vjedhin në një farmaci, ndërsa më datë 15 mars 2023, kanë vjedhur shuma parash, në 2 subjekte të ndryshme.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



