Analistja Anduena Llabani thotë se nuk ka marrëdhënie personale me ish-Presidentin Ilir Meta, përveçse janë përshëndetur dhe në vitin 2007 ka aplikuar si zëdhënëse e LSI-së, por që nuk është marrë në konsideratë.
Lidhur me reagimin e tij ndaj saj nga burgu, ku e ftonte në intervistë që të vërtetonte gjendjen e tij mendore, Llabani tha për “MCN Live” se e ka bërë një kërkesë të tillë.
Ndër të tjera shtoi se zotit Meta nuk i bën punë vetëm një avokat me aq materiale hetimore sa ai ka.
Zoti Meta ka reaguar ndaj meje pasi ka dëgjuar një të vërtetë që vetëm ai e di dhe nuk do që të përhapet në publik. Unë i kam bërë kërkesat e mia drejtuar institucioneve që e vlerësojnë nëse mund të bëjë intervistë.
Jam në pritje, ia kam drejtuar kërkesën kreut të SPAK, Altin Dumanit, ia kam kërkuar me kërkesë zyrtare dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve është e fundit që vihet në dijeni. Në kushtet ku ndodhet zoti Meta, nuk lejohen intervista, aq më shumë televizive, brenda institucionit të paraburgimit. Është e pamundur që të komunikojë me mediat, të informohet nëpërmjet televizionit.
Zotit Meta edhe për shkak të statusit që ka i janë lënë disa benefite, ka një televizor aty brenda që na ndjek. Jam në pritje, në momentin që marr një përgjigje do ta intervistoja për interes të publikut për të tregoja se është në gjendje shumë të mirë mendore dhe fizike.
Largimi i avokatit të tij Genc Gjokutaj ishte e papritur. Ka gjashtë vite që prokurorët punojnë me dosjen e zotit Meta në mbledhjen e dokumentacioneve. Zotit Meta nuk i bën punë një avokat me aq materiale hetimore sa ai ka.
Zoti Meta ka humbur partinë, ka humbur paratë, ka humbur dhe familjen. Edhe gur të jetë, do thyhet një çast përballë këtyre faktorëve që është përballur. Është ai që e shpiku LSI-në, Partinë e Lirisë dhe informohet vetëm nga një njeri i besuar nga qelia.



