
Sot edhe në Kosovë shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Rëndom, si vitet paraprake, edhe ky vit e gjen vendin me protesta e pakënaqësi nga punëtorët.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, proteston në shenjë pakënaqësie ndaj mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë në një marsh nga Biblioteka Kombëtare për të vazhduar drejt Qeverisë.
Rinia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar një aksion para Qeverisë së Kosovës për nder të 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Me këtë rast, në mënyrë simbolike të rinjtë e PDK-së me valixhe në duar iu drejtuan ndërtesës së Qeverisë si protestë për ikjen e profesionistëve nga vendi.
Kryetarja e të rinjve të PDK-së, Arbnora Salihu, tha se Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin e saj për krijimin e një “ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre”.
Gjithashtu, edhe Blloku Feminist Antikapitalist organizon marsh protestues për Ditën e Punëtorëve në orën 12:00.
Sindikatat, edhe në të kaluarën kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin e Kosovës, kryesisht për Ligjin për paga.



