
Një 22-vjeçar është arrestuar nga Policia e Pogradecit, pasi mbrëmjen e djeshme dyshohet se ka aksidentuar për vdekje një person. Burime nga policia bëjnë të ditur se në pranga është vënë shtetasi E. J., banues në fshatin Rëmenj, Pogradec, i cili u largua nga vendi i ngjarjes. Viktimë nga ky aksident mbeti shtetasi Pajtim Gjyli.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Buçimas të Pogradecit. Ndaj 22-vjeçarit rëndojnë akuzat për 2 vepra penale, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Njoftimi i policisë
“Identifikohet dhe arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit i cili mbrëmjen e djeshme, pasi aksidentoi me pasojë vdekjen një shtetas në fshatin Buçimas, u largua nga vendngjarja. Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Korçë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 24.01.2021, në fshatin Buçimas, Pogradec, ku u aksidentua me pasojë vdekje këmbësori P. Gj., bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar së bashku me mjetin tip ‘Benz’, të cilin ky shtetas drejtonte.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ dhe ‘Largimi nga vendi i aksidentit’, shtetasi E. J., 22 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.



