
SPAK uroi sot 28 kandidatët për hetues, të cilët përfunduan me sukses muajin e parë të trajnimit bazë dhe duke filluar nga java tjetër do të emërohen zyrtarisht si hetues të BKH-së.
Sipas SPAK, rrugëtimi i tyre filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit tetor 2020 dhe ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës.
“Me përfundimin e kësaj faze të parë, ne presim me padurim që ata të vijojnë me sukses fazat e mëtejshme të trajnimit, të cilat do të përfshijnë: “Trajnimin për Armët, Sigurinë dhe Aftësitë e Mbijetesës”; Trajnimin me Drejtorinë Italiane të Hetimit dhe Antimafias (DIA); si dhe Trajnimin me Byronë Federale të Hetimit SHBA-ve (FBI)”, – thekson SPAK.
SPAK i uron sukseset më të mira të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që kanë dorëzuar së fundi aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së.
Edhe ambasada amerikane në Tiranë uroi 28 hetuesit e sapoemëruar të BKH-së.
“Këta individë janë testuar dhe janë duke u trajnuar. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin këta individë, ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Ne i urojmë fat të mirë të gjithë atyre që kohët e fundit kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, u shpreh ambasada amerikane në Tiranë.




