Një person i cili kontrabandonte ilaçe nga Greqia, për t’i shitur në farmacinë që administronte si biznes familjar është vënë në prangat e policisë së Korçës.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të inteligjencës policore, se në një farmaci në Bilisht, shiteshin medikamente të kontrabanduara nga Greqia, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare finalizoi operacionin policor të koduar “Relations”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi B. M., 39 vjeç, si dhe u proceduan në gjendje të lirë bashkëshortja dhe vjehërri i tij, shtetasit R. Z., 36 vjeçe dhe N. Z., 64 vjeç, të tre banues në Bilisht.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi B. M., kontrabandonte ilaçe nga Greqia, për t’i shitur në biznesin e familjes, farmacinë ku punonte bashkëshortja e tij.
Nga kontrollet në banesën e shtetasit N. Z., përveç 1637 kutive me ilaçe, pa pullë fiskale, u gjetën dhe 83 steka me paketa me cigare, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse dhe ato nuk ishin të pajisura me pullë fiskale.



