Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohet për përndjekje të ish-të dashurës së tij në rrjetet sociale.
Sipas policisë, ai dyshohet se ka kanosur familjarët e saj, duke lënë dy fishekë arme gjahu në oborrin e banesës së tyre, si një formë kanosjeje.
Falë bashkëpunimit të shërbimeve të komisariateve të Policisë Nr. 2, Nr. 5 dhe Nr. 6, autoritetet lokalizuan dhe arrestuan shtetasin K. M., 34 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Përndjekja” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Sipas hetimeve, K. M. ka përndjekur ish-të dashurën e tij në rrjete sociale dhe ka lënë fishekët me qëllim kanosje ndaj familjarëve të saj. Fishekët u sekuestruan si prova materiale.
Po ashtu, është arrestuar edhe shtetasi E. P., 28 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përndjekja”, pasi dyshohet se ka përndjekur ish-të dashurën e tij po ashtu në rrjete sociale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



