
Nën drejtimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi nisi sot Konferenca Kombëtare e Nivelit të Lartë me temë “Votimet nga jashtë, koha është tani!”, organizuar nga KQZ dhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë.
Në fjalën e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh se në ndryshimet e Kodin Zgjedhor të vitit 2020, për herë të parë, u përfshinë rregulla të cilat synonin mundësimin e votimit të qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote, banues të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, atje ku ata kanë vendbanimin e tyre.
Celibashi shtoi se ana tjetër, tej deklarimeve publike të bëra nga politika, dukej qartë që ajo akoma nuk ishte e përgatitur për të pranuar dhe për më tepër për të punuar për realizimin e këtij procesi. Ky qëndrim i tyre ndikoi edhe ai në mosrealizimin e votimit nga jashtë në ato zgjedhje.
Në fakt për të qenë realist ky qëndrim i tyre e ka një justifikim të përligjur deri diku. Pasiguria dhe mosbesimi që palët kanë kundrejt njëra-tjetrës për procesin zgjedhor brenda vendit, janë natyrshëm në një shkallë më të lartë në rastin e votimit nga jashtë. Dhe më shumë akoma kur rregullat për këtë proces duhet të miratohen vetëm 6 muaj përpara datës së zgjedhjeve të përgjithshme. Në pikëpamjen time, votimi nga jashtë, veçanërisht në herën e parë të tij, ka si kusht të domosdoshëm pasjen e një konsensusi, jo sa më të gjerë politik, por thuajse të plotë, mbi çdo aspekt përgatitor dhe realizues të këtij procesi. Në kushtet kur votimi brenda vendit shoqërohet thuajse çdo here nga kundërshti për rezultatin zgjedhor, është e qartë që duhet të vendosim për realizimin e këtij procesi, pasi të gjithë faktorët relevant, politik dhe institucionalë të kenë kontributet e tyre në këtë proces. KQZ është e vendosur dhe e ka bindjen e plotë se përmbushja e përgjegjësive të saj institucionale në lidhje me votimin nga jashtë, nuk mundet të jetë e plotë dhe e dobishme nëse në rrugën e përmbushjes së tyre ne nuk konsiderojmë të gjithë faktorët e interesuar në këtë proces,
Po ashtu, Celibashi shtoi se partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, institucione dhe organizata partnere ndërkombëtare, janë të ftuara për të qenë pjesë e përgatitjes së procesit të votimit nga jashtë. Gjithë kuadri rregullator për votimin nga jashtë do të konsultohet që në fazën e draftimit me të gjithë grupet e interesit, përfshi këtu edhe partitë politike.
Ne synojmë që këtë proces ta përfundojmë jo më vonë se vjeshta e vitit që vjen. Në pamje të parë duket se është një periudhë kohë e gjatë dhe e mjaftueshme për të ndërtuar gjithë arkitekturën rregullatorë dhe normuese të këtij procesi, por nuk është kështu. Ne do të duhet të dakortësohemi të gjithë për rregullat që kanë të bëjnë me regjistrimin e votuesve nga jashtë, me procedurat dhe mënyrën e votimit, llogaritjen dhe tabulimin e rezultatit, etj. Pak a shumë do të na duhet të miratojmë një kod zgjedhor vetëm për votimin nga jashtë. Dhe ne të gjithë e dimë që kjo nuk është një gjë e thjeshtë në Shqipëri. Gjithsesi nga ana tjetër, vjeshta e vitit të ardhshëm është mjaftueshëm larg periudhës së zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. Kjo do të thotë se me këtë rast partitë politike do ta kenë të vështirë të kalkulojnë mirë interesat e tyre politike elektorale në mendimet dhe vlerësimet e tyre për rregullat që do të miratohen për votimin nga jashtë. Kështu ne shpresojmë që të marrim një konsensus të plotë mbi përmbajtjen e këtyre rregullave.
Gjithashtu, Celibashi u shpreh se ndoshta do të kishte qenë më e dobishme që Kodi Zgjedhor të kishte disa rregullime më të detajuara në lidhje me votimin nga jashtë. Por kjo ka kaluar tashmë. Tani praktikisht i duhet KQZ-së të përcaktojë çdo rregull për të gjitha aspektet e votimit nga jashtë. Dhe sikurse e thashë edhe më lart, kjo nuk është një sipërmarrje lehtë. Llogarisni që krahas të tjerave KQZ-së do t’i duhet të përcaktojë vetë ajo rregulla në lidhje me përllogaritjen e votës së votuesve nga jashtë në rezultatin e zgjedhjeve.
Gjithsesi, tha Celibashi, kjo është një çështje që implikon interesa politike dhe në fund të fundit do të jetë ajo që do të vendosi mbi të. Sipas tij, KQZ brenda akteve nënligjore, shpresohet te arrij përgatitjet brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm.
Miratimi i të gjitha akteve nënligjore nga KQZ brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm, do të na japë mundësi që të përgatisim sa më mirë gjithë infrastrukturën teknike dhe logjistike të votimit nga jashtë. Edhe ky aspekt i procesit të votimit nga jashtë është shumë i rëndësishëm. Partitë politike dhe votuesit e mërgatës kanë interesin dhe nevojën për t’u njohur me procedurat dhe gjithë aspektin teknik të votimit dhe për këtë ata duhet të kenë kohën e mjaftueshme në dispozicion. Përgatitja e infrastrukturës teknike kërkon edhe ajo një proces konsultimi të gjerë me të gjithë faktorët. KQZ do të ndërtojë një strukturë të konsultimit periodik me të gjitha palët e interesuara për votimin nga jashtë. Ne mendojmë se transparenca dhe gjithëpërfshirja do t’i japin besueshmëri, si përgatitjes së këtij procesi, ashtu edhe realizimit të tij. Kjo konferencë është hapi i parë dhe tregues i kësaj qasje nga ana e KQZ-së.



