
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Babrrusë në Tiranë, ku një person është gjetur i pajetë në rrugë.
Sipas policisë, rreth orës 20:10, në Babrru, është konstatuar pa shenja jete një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 50 vjeç. Nga këqyrja paraprake, viktima ka një plagë të shkaktuar me mjet prerës, e cila dyshohet të ketë qenë shkaku i humbjes së jetës.
Trupi i viktimës është dërguar në morg, ku do të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun dhe kohën e vdekjes.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e viktimës, kapjen e autorit si dhe sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit.



