Dy motra janë dënuar me burg në Britani për kontrabandë klandestinësh. Alison dhe Fabiola Alman u arrestuan për futjen në mënyrë të paligjshme të 7 meshkujve shqiptarë në Britani.
Ato kishin përdorur një furgon, brenda të cilit ishin futur 7 klandestinët, të cilët do zbrisnin pas mbërritjes me traget në Portsmouth më 4 tetor 2017. Autoritetet e doganës i zbuluan klandestinët gjatë skanimit të mjetit. Alison dhe Fabiola Alman u dënuan përkatësisht me 4 dhe 4 vjet e gjysmë burg.
Në seancë u provua se Alison Alman, 43 vjeçe, me banim në Londër, i kishte 4 mijë paund borxh një shpërndarësi shqiptar të drogës, i cili në këmbim i kishte kërkuar t’i çonte familjarët në Britani për “punë”. Udhëtimi i tyre drejt Londrës u bë si marrëveshje për shlyerjen e borxhit.
Por Alison kishte një dënim për drejtim mjeti në gjendje të alkoolizuar dhe kjo e detyroi të merrte të motrën për të drejtuar mjetin. Gjyqtari i çështjes tha në përfundim të seancës se ky rast duhet të shërbejë si paralajmërim i qartë për ata që tentojnë të shkelin ligjet britanike të emigracionit.



