
Një 34-vjeçar në Tiranë në arrest shtëpie për armëmbajtje pa leje, ka thyer masën e sigurisë duke dalë sërish në rrugët e kryeqytetit me armë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe lëvizte i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Replace”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. K., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Në rrugën “Hoxha Tahsim”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar shtetasin I. K., të cilit gjatë kontrollit fizik, i gjetën dhe i sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, krehër dhe municion luftarak.
Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ky shtetas, kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprat penale për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



