
Sot më 25 nëntor shënohet Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, me të cilën fillon fushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës ndaj gruas” si një fushatë globale të cilën e shënojnë 1700 organizata në më shumë se 100 vende në botë.
Fushata fillon në 25 nëntor me Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, ndërsa përfundon më 10 dhjetor me Ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
25 nëntori është shpallur për Ditë ndërkombëtare të luftës kundër dhunës ndaj gruas në takimin e pare të feministeve në Amerikën Latine dhe Karaibe (Feminist Encuentro), që u mbajt në Bogota në vitin 1981. Në këtë takim gratë kanë folur për dhunën në familje, përdhunimet dhe keqtrajtimin seksual si dhe dhunë e vazhdueshme që i bën gratë të vuajnë, përfshirë këtu torturimin dhe dhunën e ushtruar ndaj të burgosurve politik. 25 nëntori u zgjodh si ditë në formë kujtimi të motrave Mirabel (Patriа, Minervа dhe Mariа Teresа), që janë vrarë brutalisht nga diktatori Rafael Trujillo në Republikën Domenikane në vitin 1960.
Deklarata e Kombeve të Bashkuara për eliminimin e dhunës ndaj gruas 48/104, është miratuar në 20 dhjetor të vitit 1993, ndërsa nga viti 1999 me rezolutën e KB 54/134, zyrtarisht për herë të parë fillon të shënohet në 25 nëntor si Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas.
Theksi i fushatës cila synon parandalimin, do të përqendrohet në çështjen e përdhunimit, si një nga format më të dëmshme që bëhet ndaj grave dhe vajzave në kohë paqeje ose lufte.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave, në ligj dhe në praktikë, është pasojë e diskriminimit, e pabarazisë së vazhdueshme, shkelje e të drejtave të njeriut.
Dhuna në fjalë ndikon dhe pengon përparimin në shumë fusha-përfshirë çrrënjosjen e varfërisë, luftën kundër HIV-it dhe AIDS-it, paqen dhe sigurinë.



