Kryetari i Partisë MEGA (Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen), Lefter Nika, denoncon vjedhjet e përsëritura në fshatrat e minoritetit grek. Nika thotë se ky fenomen është i përvitshëm dhe kryhet nga individë të identifikuar. Në mënyrë të veçantë, të prekur nga vjedhjet janë fshatrat Dhivër dhe Dhrovjan, në Bashkinë e Finiqit.
Largimi i një pjese të banorëve të këtyre zonave drejt shtetit fqinj për punë sezonale sjell si pasojë shtimin e rasteve të vjedhjeve në banesat e tyre. Arrestimi i disa prej autorëve të vjedhjeve nuk i ka dhënë dot fund këtij fenomeni.
Reagimi i z. Nika
Konstatojmë me shqetësim se në fshatrat e minoritetit etnik grek të Sarandës është rishfaqur edhe këtë verë “fushata” e frikës, dhe grabitjeve në shtëpitë e banorëve”.
Vjedhje sistematike janë kryer ditët e fundit në fshatrat Dhivër dhe Dhrovjan nga “të panjohurit” e njohur, por të përvitshëm në këtë fenomen. Riaktivizimi i “profesionistëve” të kësaj fushe përbën rrezik për jetën dhe sigurinë e banorëve të këtyre fshatrave.
Kërkojmë nga autoritetet ligjvënëse dhe ekzekutive të ndërmarrin masat e duhura që të ndalet sa më parë grabitjet në pronat e anëtarëve të minoritetit etnik grek dhe të vendoset rendi dhe siguria për jetën në trojet amtare.
Kryetari i Partisë MEGA (MINORITETI ETNIK GREK PËR TË ARDHMEN)
Lefter Nika



