
Greva e minatorëve të Trepçës e cila zgjati 10 ditë është ndërprerë mbrëmë pas mesnatës pas një marrëveshje që është arritur.
Në ndërmarrjen “Trepça” kanë qëndruar deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, teksa pas arritjes së marrëveshjes, minatorët kanë ndërprerë grevën dhe kanë dalë nga nëntoka ku kanë qëndruar 10 ditë.
Telegrafi mëson se grevistët kanë dalë nga miniera sot në ora 02:00 e mëngjesit
Ndryshe, minatorët e ndërmarrjes “Trepça”, kanë hyrë në grevë më datë 24 tetor, duke bërë që gjatë këtyre ditëve disa grevistë të kërkojnë edhe ndihmë shëndetësore.
Kërkesa të minatorëve ishin që pagat t’u dalin me kohë, të ketë përmirësim të kushteve të punës, sigurime shëndetësore dhe shkarkim të menaxhmentit.
Ndryshe, menaxhmenti i “Trepçës” ka marrë vendim që të suspendojë nga puna kryetarin e sindikatës së punëtorëve Ibrahim Jonuzi, nënkryetarin e sindikatës, dy anëtarë dhe një minator, me arsyetimin se e kanë shkelur ligjin dhe e kanë rrezikuar rendin kushtetues.



