Një 50-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, gjatë një operacioni në luftën kundër drogës. Sipas mediave, prej kohësh karabinierët kishin identifikuar shqiptarin që furnizonte me drogë klientët e zonës Bassa Tuscia në Viterbo.
Gjatë hetimeve, autoritetet italiane mbajtën nën vëzhgim banesën e 50-vjeçarit, që ndodhej në kufirin mes Viterbos dhe Romës. Nga lëvizjet e dyshimta të shqiptarit, policia vendosi ta ndiqte për një farë kohe, dhe gjatë bastisjes së shtëpisë së tij iu sekuestruan 6400 euro, para të ardhura nga droga.
Gjithashtu në shtëpi iu gjetën disa doza kokaine të fshehur në një nga dollapet e banesës. Më vonë, shqiptari u identifikua dhe si emigrant i paligjshëm. Që prej vitit 1996 e deri më sot ai kishte përdorur 12 pseudonime të ndryshme, raporton policia italiane. Mbi të rëndonin vepra të tjera penale në lidhje me trafikun e drogës, vjedhje, prostitucion etj.
