
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja dhe dy të pandehurve të tjerë, të akuzuar për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
Çyrbja është marrë i pandehur për veprat penale: “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më shumë se një herë; “Përkrahje e autorit të krimit”, gjithashtu e kryer më shumë se një herë; “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit” në bashkëpunim; si dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Në të njëjtën dosje përfshihen edhe Ahmet Masha, i akuzuar për “Tregim të sekretit shtetëror nga shtetasit” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim, dhe Altin Hajri, i akuzuar për “Korrupsion pasiv në zgjedhje” dhe “Tregim të sekretit shtetëror nga shtetasit”.
Sipas SPAK, ka prova të mjaftueshme se tre të pandehurit dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC dhe Matrix. Sipas hetimeve, në disa raste, tre të pandehurit kanë marrë informacion nga sistemi “TIMS” mbi një person të shpallur në kërkim, si dhe informacione sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto të dhëna, që përfshinin planet e Policisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim për krime të organizuara, janë transmetuar nga të pandehurit te personat në kërkim, të cilët i janë shmangur arrestimit.
Çyrbja ka qenë deputet i Partisë Socialiste në periudhën 2021-2024, që përkon me kohën kur ka kryer veprat për të cilat akuzohet. Ai e dorëzoi mandatin e deputetit më 9 tetor 2024, pak ditë para se të arrestohej.
Sipas dosjes së dërguar për gjykim, Çyrbja ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me Altin Hajrin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe përfshirje në zhdukjen e një personi.
“I pandehuri, për shkak edhe të funksionit si deputet, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit Altin Hajri se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale, duke konsumuar elementët e veprës penale të ‘Korrupsionit aktiv në zgjedhje’,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Hajri i ka pranuar favoret e ofruara nga Çyrbja në këmbim të sigurimit të votave, thuhet më tej në dosje.



