
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me videon e publikuar në rrjet, ku shfaqet një turist italian i dhunuar në Tiranë, duke sqaruar se ngjarja është regjistruar mbrëmjen e 29 korrikut 2026, rreth orës 22:00, në zonën pas Pallatit të Kulturës.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë ndërhyrë menjëherë pas njoftimit për një konflikt dhe në vendngjarje kanë konstatuar shtetasin italian me iniciale G. M., me dëmtime të lehta sipërfaqësore.
Ai shoqërohej nga dy miq, ndërsa ndihmën e parë e kishte marrë nga punonjës të Policisë Bashkiake që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.
Turisti u transportua më pas në spital, ku, sipas personelit mjekësor, ishte i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta në gjymtyrë.
Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe pa njoftuar stafin shëndetësor.
Policia bën me dije se shtetasi italian nuk ka pranuar të bëjë kallëzim për konfliktin apo të identifikojë personat që e kanë dhunuar. Edhe dy shokët që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion mbi rrethanat e ngjarjes.
Megjithatë, grupi hetimor ka vijuar veprimet, duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se turisti italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.
Policia thekson se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.



