Operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit në zonën e Vilzit, në Njësinë Administrative Postribë, vijon me angazhimin e strukturave vendore dhe qendrore të emergjencave.
Nën koordinimin e Prefekturës së Qarkut Shkodër dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në mbështetje të forcave vendore të Mbrojtjes Civile dhe shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Shkodër, gjatë pasdites së djeshme u krye edhe ndërhyrja nga ajri nga Forcat Ajrore.
Ky operacion ndihmoi në uljen e ndjeshme të intensitetit të zjarrit dhe largoi rrezikun për zonat e banuara.
Në terren vijojnë të jenë të angazhuara ekipet e MZSH-së, forcat operacionale pyjore, strukturat e Mbrojtjes Civile të Bashkisë Shkodër, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët iu bashkuan operacionit që në orët e para të mëngjesit.
Autoritetet kanë shprehur mirënjohje për të gjitha strukturat qendrore e vendore, forcat vullnetare dhe banorët e zonës për bashkëpunimin dhe solidaritetin e treguar në mbrojtje të jetës së qytetarëve, pronës dhe pasurive natyrore.



