Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”, goditën një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në fshatin Çërrilë, u gjet një parcelë me 1881 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Në momentin e ndërhyrjes, u kapën në flagrancë shtetasit A. S., 53 vjeç, banues në Greshicë dhe E. Sh., 34 vjeç, banues në Çërrilë, të cilët po ujitnin fidanët narkotikë. Ata u arrestuan për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike".
Në lidhje me këtë rast, u procedua penalisht edhe kryeplaku i fshatit, shtetasi I. S., 63 vjeç, për "Shpërdorimin e detyrës".
Gjithashtu, gjatë hetimeve, u procedua penalisht shtetasi M. Z., 44 vjeç, banues në Ballsh, pasi gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën një armë sportive, 12.400 euro, 400 paund dhe rreth 900.000 lekë të reja, të cilat dyshohet se lidhen me veprimtarinë kriminale të kultivimit të kanabisit.
Fidanët narkotikë u asgjësuan me anë të djegies. Puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë vazhdon.



