
Tre ushtarakë janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës për kultivim kanabisi. Uniformat blu njoftuan këtë të shtunë se të arrestuarit janë 3 efektivë të repartit ushtarak në Zall Herr.
Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit: Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.
Ndërkohë janë proceduar penalisht 4 ushtarakë të tjerë.
Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë: A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture; P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge; I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier; P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.
Sipas uniformave blu, këta persona, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak. Policia ka asgjësuar atje 125 rrënjë kanabis.
Lidhur me këtë operacion ka ardhur një reagim edhe nga Artur Meçollari i cili shkruan se nuk keni parë asgjë akoma dhe se sipas tij, një nga të arrestuarit ishte i shkarkuar nga detyra e sigurisë katër vite më parë.
Nuk keni parë gjë akoma. Dhe mbas rritjes së ndjeshme të pagave. Arrestohen 3 ushtarakë në Zall Herr, kultivuan kanabis në repart. Po njëri nga këta të tre sikur është shkarkuar nga detyra e sigurisë dhe është larguar nga Zall Herri katër vjet më parë. Kush e ktheu në detyrë? Komandanti këput mollën, ushtria rrafshon plantacionin.
Policia thotë se këto arrestime vijnë si pasojë e megaoperacionit të koduar “Fokusi” që është shtrirë në të gjithë vendin. Si rezultat i këtij aksioni, gjatë së premtes janë goditur edhe dy raste të tjera të kultivimit të kanabisit.



