Policia e Durrësit ka finalizuar mëngjesin e sotëm një operacion antidrogë, të koduar “Tranzit”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Durrës, ka mundur të sekuestrojë një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike kanabis sativa.
Në pranga janë vënë dy shtetas, ndërsa në kërkim është shpallur një tjetër. “Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e disponuara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, u organizua puna dhe finalizua me sukses operacioni i koduar ‘Tranzit’, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: R. U., 25 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe E. S., 31 vjeç, banues në fshatin Gramëz, Fushë Krujë, i dënuar më parë për veprën penale ‘Kultivimi i bimëve narkotike’”, njoftoi policia.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në Fushë Krujë, gjatë kontrollit në mjetin tip “Audi” në pronësi të shtetasit R. U., ku ndodheshin dhe shtetasit A. Xh. dhe E. S. (posedues të lëndës narkotike), u gjet një sasi prej 8 kg e 200 gramë lëndë narkotike kanabis sativa, të cilën do ta blinte shtetasi R. U.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Xh., 37 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe po punohet për kapjen e tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 8 kg e 200 gramë lëndë narkotike kanabis sativa dhe mjeti tip “Audi”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.



