
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i cili vuri lëndë plasëse e cila nuk shpërtheu, në automjetin e një personi në Kurbin, për ta kanosur.
Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, në fshatin Malbardhë, në automjetin e shtetasit F. Lika, 34 vjeç, ishte vënë një sasi lënde plasëse, e cila nuk kishte shpërthyer, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe ekspertët xhenierë shkuan në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit A. Lika, (i afërm i shtetasit F. Lika). Nga këto veprime dyshohet se ky shtetas e ka vënë lëndën plasëse, për të kanosur shtetasin F. Lika, për shkak të konflikteve të mëparshme me të.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Z. Lika, pasi dyshohet si bashkëpunëtor në këtë rast.
Vijojnë kërkimet intensive për kapjen e shtetasit A. Lika, si dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar rrethanat e rastit.



