
GJKKO ka vendosur zgjatjen me 3 muaj të afatit të paraburgimit ndaj ish-zyrtarëve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, të cilët ndodhen në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” duke pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas njoftimit zyrtar, SPAK dy të pandehurit, akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre në lidhje me procedurat e tenderimit të rrugëve.
Gentian Gjyli, ish-kreu i ARRSH-së, dhe Erald Elezi, ish-drejtor i KESH-it, do të vijojnë të qëndrojnë në “arrest në shtëpi” edhe për tre muaj të tjerë.
Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Gjylit dhe Elezit për një masë më të lehtë sigurie.
Të dy kërkuan nga GJKKO që të dalin nga arresti shtëpiak me argumentin se pasnesër përfundonte afati 6 mujor i hetimeve për shkeljet me tenderin e Tunelit të Llogarasë, afat që tashmë u zgjat nga gjykata.



