
Policia e Sarandës ka arrestuar katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Shqiptare të Kadastrës.
Mësohet se dy prej tyre janë arrestuar pikërisht në zyrën ku ishin duke punuar, ndërsa policia është duke kryer kontrolle në shtëpitë e katër të arrestuarve.
Konkretisht të arrestuar janë shtetasit A. Dh., 34 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë ish-drejtor i ASHK-së Sarandë, V. L., 37 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, pranë ASHK-së Sarandë, S. B., 32 vjeç dhe E. Y., 37 vjeç, banues në Sarandë – të dy me detyrë hartograf pranë ASHK-së Sarandë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasja K. S., 34 vjeçe, lindur në Sarandë dhe banuese në Bolonja, Itali, me detyrë ish-drejtoreshë e ASHK-së Sarandë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke pajisur në mënyrë të kundërligjshme, me certifikata pronësie, disa shtetas, për pasuri, tokë dhe prona, në zonat bregdetare të qytetit të Sarandës dhe të Ksamilit.
Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Pak javë më parë, policia e Sarandës, sërish me urdhër të Prokurorisë së Vlorë, arrestoi shefen e IMT-së, Romina Pulaj me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi sipas prokurorëve kishte lejuar ndërtimin e një pallati pa leje në qytet.



