Një person ka përfunduar në prangat e policisë së Gjirokastrës pasi ëhstë kapur duke transportuar me makinë kundrejt fitimit 3 emigrantë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Road Guard 33”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Ç. H., banues në Tepelenë, i arrestuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Në vendin e quajtur “Kthesa e Leklit”, Tepelenë, shtetasi Ç. H. nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të hapur bagazhin e automjetit që drejtonte.
Pas hapjes së bagazhit të automjetit nga shërbimet e Policisë, u konstatuan 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.
Emigrantët e paligjshëm, duke qenë se ishin në gjendje jo të mirë shëndetësore, për shkak të mungesës së ajrimit në bagazhin e mjetit, u transportuan fillimisht për të marrë ndihmën mjekësore, në spital, dhe më pas u shoqëruan në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti dhe 2 aparate celulare. Materialet në ngarkim të shtetasit Ç. H. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



