Një akt heroik i punonjësve të Policisë së Shkodrës ka shpëtuar jetën e një 59-vjeçareje, e cila kishte tentuar të vetëvritej në lumin Buna.
Rreth orës 09:30, në Sallën Operative të Policisë është marrë një njoftim alarmant për një shtetase që ishte hedhur në ujërat e lumit.
Pa humbur kohë, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë arritur menjëherë në vendngjarje dhe, duke rrezikuar jetën e tyre, kanë hyrë në lumin Buna për ta shpëtuar.
Falë ndërhyrjes së shpejtë, 59-vjeçarja, e cila ishte në gjendje të rëndë, por me shenja jete, u nxor nga uji dhe i është dhënë ndihma e parë. Ajo u transportua menjëherë me autoambulancë në Spitalin Rajonal Shkodër për trajtim mjekësor.
Policia e Shkodrës thekson rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe profesional në situata emergjente dhe fton qytetarët që të kërkojnë ndihmë kur ndihen të rrezikuar ose në krizë.



