
Një 41-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit ‘Tempulli 3’, pasi është kapur duke shitur doza kokaine, në lagje të ndryshme të Vlorës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte droga të forta, me qëllim shitjen në doza, kanë organizuar punën dhe si rezultat, kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Leonard Havaraj, 41 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dhjetëra doza të lëndës narkotike kokainë, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen në lagje të ndryshme të qytetit.
Policia bëri të mundur sekuestrimin e 90 dozave të lëndës narkotike kokainë, si dhe 2 celularë dhe 1 automjet të të arrestuarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.



