
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar marrëveshjen e huasë direkte me vlerë 302 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA, në kuadër të programit amerikan të financimit të jashtëm ushtarak.
Marrëveshja synon financimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe forcimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në dekretin e firmosur më 30 korrik dhe të publikuar këtë të shtunë, Kreu i Shtetit shpall ligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF)".
Me dekretimin e tij, Presidenti Begaj i hap rrugë hyrjes në fuqi të ligjit, duke mundësuar zbatimin e marrëveshjes.
Huaja është pjesë e programit amerikan Foreign Military Financing (FMF), një instrument përmes të cilit SHBA mbështet aleatët në forcimin e kapaciteteve të tyre mbrojtëse dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.




