
Një efektiv me detyrë në portin e Durrësit, është vënë në prangat e policisë për shkak se ka shmangur kontrollin e një mjeti në të cilin janë gjetur dy armë zjarri tip pistoletë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore rajoni Durrës-Kavajë ka ekzekutuar Urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka vendosur masën shtrënguese “Arrest në burg” për punonjësin e policisë Inspektor Besard Xhaferri, 37 vjeç, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, u dokumentua me prova se ky punonjës policie ka shmangur në mënyrë të qëllimshme kontrollin e mjetit tip Bizarke me drejtues shtetasin E. U., 45 vjeç, i cili ka udhëtuar me linjën Durrës-Bari dhe sapo ka zbritur në Bari, gjatë kontrollit i janë gjetur 2 armë zjarri të tipit pistoletë.
Hetimet vazhdojnë për përfshirje të punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari kriminale.



