
Dy shtetas Afgan të strehuar në Shëngjin janë arrestuar nga policia, pasi kishin hyrë në Shqipëri me dokumente të falsifikuara.
Sipas bluve "Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, si rezultat i masave të shtuara për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve, bazuar në informacionet e siguruara për shtetas afganë të akomoduar në Shëngjin, që mund të përdornin dokumente të falsifikuara, kanë kryer verifikime ndaj dokumenteve të shtetasve S. S., dhe S. K.
Gjatë verifikimeve, dokumentet e identifikimeve, të udhëtimit dhe formularët e vetëdeklarimit të dy shtetasve të lartpërmendur kanë rezultuar të falsifikuar.
Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit afganë, S.S.,23 vjeç dhe S.K.,27 vjeç, për veprën penale “Falsifikimit të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave”, "Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve" dhe "Falsifikimi i dokumenteve".
Sipas burimeve dy të rinjtë nuk ishin pjesë e listës së emigranteve Afgan për tu strehuar në Shqipëri, por kanë arritur të kalojnë pikat kufitare përmes dokumenteve të falsifikuara, duke arritur dhe akomoduar në Shëngjin dy ditë më parë.
Materialet në lidhje me rastin i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme”.
Që prej fillimit të muajit shtator në Shëngjin janë të strehuar rreth 1 mijë emigrant Afgan. Ata janë akomoduar në një nga resortet e zonës dhe për të garantuar sigurinë e tyre mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga policia.



