
Një sasi e konsiderueshme droge është kapur mëngjesin e sotëm në grykëderdhjen e Vjosës, nga ku do të trafikohej drejt Italisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit të koduar "Vjosa", është sekuestruar 1 mjet lundrues, 2 automjete, si dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis.
Operacioni ka nisur rreth orës 03:30 të mëngjes, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det. Policia Kufitare e Vlorës dhe GdF kanë vijuar ndjekjen në det. Kjo ka bërë që trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit, ku kanë braktisur mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë, pranë fshatit Bishan.
Policia bën të ditur se po punohet për kapjen e trafikantëve si edhe po hetohet në lidhje me përfshirjen e të tjerë personave në rrjetin e trafikimit të lëndës narkotike.



