Vihet nën hetim drejtori i kompanisë që kryen ndërtime në kantierin e portit të Vlorës, për ndotjen e ujit të detit të shkaktuar gjatë ditës së sotme.
Korrespodenti i MCN TV, raporton se projekti që po realizohet quhet “Vlora Marina” dhe i është dhënë biznesmenit Samir Mane.
Firma e cila ka realizuar punimet është pikërisht e kontraktuar nga ky i fundit për realizimin e punimeve.
Policia njofton se menjëherë pas njoftimit për ndotje të ujërave në portin e Vlorës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë kryen verifikimet e nevojshme për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale përgjegjësit.
Për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal, për veprën penale “Ndotja e ujërave”, për shtetasin H. M., 31 vjeç, drejtor i kompanisë që kryen punimet e ndërtimit në portin e Vlorës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.



