Policia e Durrësit ka reaguar për paratë e sekuestruara këtë të mërkurë në Portin e Durrësit në një furgon që vinte nga Anglia. Në një deklaratë për media, Policia bën të ditur se shuma e parave të sekuestruara nga furgoni që erdhi nga Anglia është 123.460 paund dhe 280 stërlina.
Në pranga ka rënë drejtuesi i automjetit, i identifikuar si Olsi Sefolli, 21 vjeç, banues në Hamallë. Gjatë kontrollit, në pjesën e prapakolpit të furgonit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 12 pako me para. 21-vjeçari do të akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të implikuar në këtë vepër penale. Furgoni tip “Mercedes Benz” me targa angleze ku u gjet sasia e paundëve, mësohet se bën shërbimin postar mes emigrantëve shqiptarë dhe familjeve të tyre në Angli. Deri tani, i ndaluari nuk ka pranuar të ishte në dijeni për sasinë e gjetur të parave.



