Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur të mërkurën në Kamëz ku Dan Hutra qëlloi për vdekje tre shtetase dhe plagosi tre të tjera, ka reguar edhe Prokuroria e Tiranës. Në një deklaratë për media, organi i akuzës bën të ditur rastin e denoncimit ndaj Dan Hutrës për dhunë në familje nga ish-bashkëjetuesja e tij, Elena Hysa. Prokuroria thotë se Hysa ka njoftuar policinë më 16 Qershor të vitit të shkuar se ndihej e rrezikuar nga Hutra, i cili ndodhej në banesën e saj.
Për këtë ngjarje thotë prokuroria, është pyetur edhe mamaja e saj, Kujtime Hysa, e cila deklaroi se është keqtrajtuar. Sipas prokurorisë, Kujtime Hysa ka biseduar me bashkëshortin dhe nuk kanë dashur që të kenë probleme me familjen dhe njerëzit e Dan Hutrës dhe kërkuan “që vajza të heqë denoncimin dhe të mos merret shteti me këtë punë”.
“ E pyetur nga ana e Policisë Gjyqësore nëse është kanosur nga shtetasi Dan Hutra, në banesën e saj, ajo nuk ka pranuar t’i përgjigjet kësaj pyetjeje”, thuhet në reagim. Në lidhje me këtë ngjarje, prokuroria thotë se është plotësuar një kërkesë për urdhër-mbrojtjeje për Elena Hysën.
Por pavarësisht kërkesës së familjes, Prokuroria thekson se duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë shoqërore të Dan Hutrës dhe se ai ka qenë i burgosur për vrasjen e të fejuarës së tij në vitin 2007, është vendosur arrestimi në flagrancë i tij.
Më pas, çështja është marrë në dorë nga prokurori Robert Kote, i cili kërkoi dërgimin në gjyq të Dan Hutrës për “Dhunë në Familje”. Ai kërkoi dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burg, por ndaj kësaj mase dënimi u aplikua ulje me 1/3 të dënimit për shkak se gjykimi u zhvillua i shkurtuar.
Ditën e mërkurë, Dan Hutra vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera në 3 vende të ndryshme në Tiranë. Në mesin e viktimave janë motra dhe kunata e Elena Hysës, të cilat i ekzekutoi me armë zjarri. Ndërsa Elena dhe nëna e saj, Kujtimja, ndodhen në spital si pasojë e plagëve.
Njoftimi i prokurorisë:
Më datë 16.06.2022, shtetasja Elena Hysa, ka njoftuar shërbimet e policisë se ndihet e rrezikuar nga shtetasi Dan Hutra, i cili ndodhej në banesën e saj.
Për ngjarjen është pyetur edhe shtetasja Kujtime Hysa, e cila deklaroi se e bija është keqtrajtuar. Ajo ka deklaruar se ka biseduar me bashkëshortin dhe nuk duan që të kenë probleme me familjen dhe njerëzit e shtetasit Dan Hutra, dhe se kërkojnë që vajza të heqë denoncimin dhe të mos merret shteti me këtë punë. E pyetur nga ana e Policisë Gjyqësore nëse është kanosur nga shtetasi Dan Hutra, në banesën e saj, ajo nuk ka pranuar t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
Për këtë ngjarje, është plotësuar kërkesë për urdhërin e mbrojtjes së shtetases Elena Hysa.
Duke pasur parasysh se ky shtetas shfaq rrezikshmëri të lartë shoqërore si dhe nga verifikimet rezulton se shtetasi Dan Hutra, ka qenë person i dënuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal i dënuar me 25 vite burgim (kryer 13) pasi në vitin 2007 ka vrarë bashkëshorten e tij, shtetasen Dan Hutra, dhe bazuar në nenin 251/2 të Kodit të Procedurës Penale, u vendos arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi.
Prokurori i çështjes, Robert Kote, kërkoi dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 4719 të vitit 2022 me të pandehur shtetasin Dan Hutra, i akuzuar për veprën penale ‘Dhunë në Familje’ parashikuar nga neni 130/a, paragrafi i parë i Kodit Penal dhe kërkoi dënimin e tij me 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj burg. Meqenëse gjykimi u zhvillua i shkurtuar, ndaj kësaj mase dënimi u kërkua të aplikohet neni 406 i Kodit të Procedurës Penale duke i ulur 1/3 e dënimit.



