Fatjon Softa, ekspert sigurie tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN Tv se personazhet e krimit kanë filluar që të lëvizin paratë me anë të kriptomonedhave. Sipas Softës është e rëndësishme të bëhen ndërhyrje ligjore në mënyrë që t’i përshtatet edhe evoluimit që ka pësuar krimi.
Shqiptarët nuk janë më vetëm në territorin shqiptar, aktiviteti i tyre shtrihet në disa vende.
Aktiviteti i tyre shtrihet në Amerikën Latine, Dubai, pastaj vijnë Belgjika, Franca, Italia etj.
Patjetër që pastrojnë para përmes blerjes imobilare. Kjo është një nga skemat që përdorin. Ajo që më shumë dominon është forma e transferimit dhe lëvizjes së monedhave përmes kriptomonedhat që nuk lënë gjurmë, ose nëpërmjet kompanive offshore. Nuk e di a ka përfshirje të shqiptarëve në kompanitë offshore të cilat janë disa zona që brenda tyre ka njerëz që vijnë dhe nga bota e krimit dhe nga bota e politikës.
Krimi i organizuar ka vajtur në një nivel të lartë. Nuk janë vetë ata si persona, kanë punësuar inteligjencën e tyre. Brenda tyre juristë, noterë, specialistë të IT për fshirje gjurmësh dhe komunikimet t’i kenë të kriptuara që të lënë sa më pak gjurmë.
Mendoj që ka nevojë për ndërhyrje ligjore. Koha kalon dhe krimi evoluon. Dhe baza ligjore duhet të ndryshojë. Shqipëria e ka pranuar përdorimin e kriptomonedhave po a është në gjendje Shqipëria t’i kontrollojë lëvizjet që ata bëjnë nga Shqipëria jashtë dhe e kundërta.



