
13 persona janë vënë në prangat e policisë së Elbasanit të akuzuar se mashtronin shtetas të huaj nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, ndërsa është shpallur në kërkim administratori i subjektit.
Si rezultat i operacionit të koduar “Fictitious” u arrestuan në flagrancë E. Ç., 29 vjeç, B. F., 46 vjeçe, Sh. I., 31 vjeçe, A. K., 32 vjeçe, E. L., 33 vjeçe, F. P., 36 vjeçe, G. K., 23 vjeçe, R. L., 31 vjeçe, G. K., 29 vjeç, D. H., 38 vjeçe, S. D., 30 vjeç, A. K., 30 vjeçe, A. C., 24 vjeç, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim;
Ndërkohë nisi procedimi penal për shtetasit: J. L., D. Ç., M. L., Dh. Z., dhe L. T., për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi G. D., 45 vjeç, administratori i subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 70 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 33 celularë dhe 1 DVR, nëpërmjet të cilëve ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme.
Këta shtetas telefononin shtetas të huaj, kryesisht italianë, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.



