
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në GjKKO pushimin e çështjes për ish-kreun e komisionit të prokurimit publik, Jonaid Myzyri.
Myzyri, është liruar nga çdo akuzë pasi ishte marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme verën e kaluar, për një procedurë me vlerë 2.2 miliardë lekë të vjetra.
SPAK njoftoi në atë kohë se Myzyri akuzohej për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Ai u pezullua menjëherë nga detyra, ndërsa si masë shtrënguese iu caktua “detyrim paraqitjeje”.
Bëhej fjalë për një tender me vlerë 2.2 miliardë lekë të vjetra, për mirëmbajtjen rutinë të rrugës së Rrëshenit, nga Ura e Fanit deri në Urën e Repsit.
Sipas hetimeve, shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor kishte parregullsi, të cilat nuk ishin marrë në konsideratë nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Gjatë shqyrtimit të ankesës për këtë procedurë, dyshohej se Komisioni kishte favorizuar në mënyrë të kundërligjshme bashkimin e operatorëve ekonomikë A.M. dhe D.-1., të cilët, sipas hetimeve, kishin paraqitur dokumente të falsifikuara.
Megjithatë, pas hetimeve që kanë zgjatur rreth dy vite, Prokuroria e Posaçme nuk ka arritur të sigurojë prova që implikojnë Jonaid Myzyrin dhe i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesën për pushimin e çështjes.



